Eshte terapia per mua?
- Liliana's Practice
- Aug 17
- 5 min read
Nëse po e lexon këtë, të paktën e ke menduar terapinë.
Ndoshta ndihesh e pakënaqur edhe pse nuk sheh ndonjë arsye pse. Ndoshta përballesh me ankthin dhe nuk mund të ndalosh së shqetësuari për gjëra. Ndoshta nuk je e sigurt si të përballosh disa konflikte apo mosmarrëveshje.
Edhe pse të shkosh te terapisti është bërë shumë më e zakonshme në shoqërinë tonë, shumica e njerëzve ende e lidhin terapinë me sëmundjen mendore. Pse një person funksional do të shkonte te terapisti? Si mund të ndihmojë thjesht “ankimi” për gjëra?
Mirëqenia shpirtërore është e rëndësishme!
Vetëm fakti që je e aftë të funksionosh nga dita në ditë, nuk do të thotë se po jeton jetën që dëshiron.
Mund të ndihesh:
Sikur je pa qëllim në jetë
Zemërftohtë ndaj miqve dhe pjesëtarëve të familjes
Shpesh e lodhur ose e pamotivuar
Sikur gjithmonë bën të njëjtat gabime dhe s’ndryshon dot
Me psikoterapi mund të shohësh këto ndryshime:
Të ndjesh një sens qëllimi dhe entuziazmi për jetën
Të ndihesh e afërt dhe e lidhur emocionalisht me shokët dhe familjen
Të ndihesh e mbushur me energji dhe motivim për aktivitete
Të bëhesh e aftë të bësh ndryshime ku të jetë e nevojshme dhe të mos bësh më të njëjtin gabim
Është vështirë të besosh se gjërat vërtet mund të bëhen më mirë. Shumica do të kenë skepticizëm që terapia mund të ketë vërtet efekt. Kjo është shumë e kuptueshme. Sidoqoftë, realiteti është që ka shumë njerëz që vërtet janë transformuar nga terapia.
Si te ndihmon terapia
Pikëpamja e një terapisti të trajnuar bazohet në kërkime klinike dhe teknika terapeutike që janë provuar se funksionojnë. Nuk është thjesht “bisedë.” Gjithashtu, terapisti nuk është dikush që do të japë një zgjidhje të shpejtë.
Përkundrazi, terapia fillon me qetësi, si duke e ngadalësuar filmin e jetës suaj që të shihet çdo gjë më qartë. Shokët, shoqet, ose pjesëtarët e familjes shpesh përpiqen të ndihmojnë njëri-tjetrin duke dhënë këshilla. Sigurisht, qëllimi i këshillave është shumë i mirë. Por mund ta keni vënë re vetë që këshillat shpesh nuk ju ndihmojnë. Kjo është sepse, shumicën e kohës, kur njerëzit japin këshilla, ata kanë idenë e tyre ku është problemi. Por vërtetësisht nuk mund ta kuptojnë fare problemin e vërtetë. Në fakt, edhe ju vetë mund të mos e kuptoni. Mund të duket sikur s’ka asnjë problem, por ju prapë nuk ndiheni mirë.
Gazetari Johann Hari, i cili vetë u përball me depresion, shkroi për një përvojë që pati kur u sëmur rëndë nga helmimi ushqimor. Ishte në spital, në urgjencë, dhe vazhdonte të ndihej shumë keq. Në të vjella, i kërkoi mjekut t’i jepte diçka për marramendjen. Por mjeku i tha, “Nuk të jap gjë se duhet ta ndjesh marramendjen. Ajo është një mesazh. Do të na tregojë se ku është problemi në trupin tënd.”
Kur njeriu ndihet i pakënaqur, i ankthshëm, apo shpesh i irrituar, është tunduese të kërkojë mënyra për t’i ndalur ato ndjenja negative sa më shpejt. Kjo është arsyeja pse njerëzit shpesh përpiqen të heshtin dhimbjen emocionale përmes shpërqendrimeve, substancave, televizorit, apo telefonave dhe kompjuterave. Ato gjëra mund të ndihmojnë – deri diku. Por, nëse ato ndjenja të dhimbshme vazhdojnë të të mundojnë në sfond, do ta dish që ka diçka më tepër.
Në terapi, fillojmë duke i mirëpritur ndjenjat me butësi. Ato janë një mesazh. Do të na tregojnë çfarë nuk shkon. Një terapist gjithmonë do të të trajtojë me “respekt pozitiv të pakushtëzuar.” Kjo do të thotë që zyra e terapisë është një vend ku mund të ndihesh i lirë dhe i qetë të shprehesh pa gjykim. Je plotësisht e mirëpritur, me çdo anë të personalitetit.
Një nga gjërat më të rëndësishme që do mësosh në terapi është si të tregosh zemërgjerësi ndaj vetes. Të gjithë kemi shpesh vetëgjykime. Kjo është edhe më e vërtetë kur njerëzit na kanë bërë shumë kritika ose kur edhe vetë shohim gabimet që kemi bërë. Është vështirë ta shohësh veten me dashamirësi e zemërgjerësi kur e sheh veten si të difektuar. Por në fakt, të arrish në një pikë që vërtet e pranon dhe e do veten, me gjithë gabimet dhe defektet që mund të kesh, është pjesë shumë e rëndësishme e mirëqenies emocionale.
Rreshti i fundit i librit të Johann Harit është njëkohësisht i thellë dhe fuqizues: “Vetëm kur e dëgjojmë dhimbjen tonë mund ta ndjekim pas deri tek burimi i saj – dhe vetëm atëherë, kur mund të shohim shkaqet e saj të vërteta, mund të fillojmë ta kapërcejmë.”
Zhvillimi i zemërgjerësisë ndaj vetes
Zhvillimi i zemërgjerësisë dhe dashamirësisë ndaj vetes krijon mundësinë që të shikosh veten qartësisht, pa frikë që do të shohësh diçka të papranueshme. Çdo aspekt i vetes është i pranueshëm dhe çdo ndjenjë është e pranueshme. Me këtë pikëpamje, introspektimi bëhet më i lehtë.
Autori dhe filozofi G.K. Chesterton shkroi: “Mos e hiq kurrë një gardh para se ta dish arsyen pse është vendosur.” Sjelljet tona, edhe sjelljet e gabuara ose problematike, janë gardhe që na mbrojnë. Shpeshherë edhe vetë nuk e kuptojmë pse i bëjmë disa sjellje. Për shembull, pothuajse të gjithë ata që pinë duhan, po t’i pyesësh nëse mendojnë se bëjnë mirë, do të thonë se jo. E pranojnë plotësisht që duhani u bën dëm dhe që s’duhet ta pinë. Shumicën e kohës e vazhdojnë, por edhe ndihen fajtorë ose të turpëruar për këtë vendim të gabuar. Është vështirë të kesh vetëkuptim dhe dashamirësi ndaj vetes kur ndihesh i fajësuar. Por në fakt edhe diçka si pirja e duhanit mund të jetë një "gardh" që ka një funksion brenda teje.
Zyra e terapisë është ai vend i sigurt ku thënia “është faji yt” lihet mënjanë dhe në vend të saj është kurioziteti dhe zemërgjerësia. Çfarë funksioni po shërben ajo sjellje e dëmshme? Pse u ngrit ai “gardh”? Vetëm kur ta kuptosh vërtet sjelljen tënde, do të kesh mundësinë dhe aftësinë për ta ndryshuar.
Përmbledhje
Nëse nuk po jeton jetën tënde më të mirë, vërtet nuk është e nevojshme të jetë gjithmonë kështu. Siç thekson Gabor Maté: “Është tronditëse të kuptosh se shumë nga tiparet e personalitetit që kemi besuar se jemi ne, ... në të vërtetë mbajnë plagët e vendit ku kemi humbur lidhjen me veten, shumë kohë më parë.”
Përmes terapisë, mund të ndërtosh një lidhje të vërtetë me veten, në mënyrë që kur të shfaqet një ndjenjë ta shohësh si një mesazh dhe ta dëgjosh. Do të mësosh të dëgjosh pa gjykim dhe pa frikë.
Vetë-njohja dhe zemërgjerësia ndaj vetes na fuqizon të përballemi me secilin prej stresorëve të përmendur më lart.
Nëse e ndjen veten si pa qëllim, nëpërmjet terapisë, mëson të shikosh brenda pa frikë dhe të pyesësh veten: “Çfarë më mungon? Cila nevojë nuk po më plotësohet?”
Nëse ndihesh i shkëputur nga miqtë dhe të dashurit emocionalisht, do të jesh në gjendje të shohësh e të kuptosh muret e brendshëm që mund të kesh ngritur e që të krijojnë distancë.
Nëse ndihesh kronikisht e lodhur ose e pamotivuar, në terapi, do të mund ta pyesësh vërtet veten se çfarë të rëndon. Çfarë barre mendore apo emocionale po mban mbi shpinë? Mohimi i ndjenjave kërkon shumë energji mendore dhe emocionale. Pasi të mësosh t’i mirëpresësh ndjenjat, nuk do të duhet të harxhosh kaq shumë energji duke u fshehur prej tyre.
Gabimet do fillosh t’i shohësh me kuriozitet dhe mendje të hapur, derisa të mund të arrish tek arsyeja e vërtetë pse e bën diçka. Dhe vetëm kur e di vërtet pse po e bën një sjellje, je e zonja të bësh një ndryshim.

Comments